Renovimi dhe ndërrimi i barit në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” nuk do të nisë deri në pranverën e viti 2024. Kështu ka bërë të ditur , zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.
Në fund të muajit nëntor, Federata e Futbollit të Kosovës doli me njoftim që ky stadium do të mbyllet për të gjitha aktivitete sportive pasi është dëmtuar në masë të madhe bari i saj për shkak të numrit të madh të ndeshjeve ndërkombëtare të zhvilluara në të.
FFK gjithashtu bëri të ditur se është arritur një marrëveshje me MKRS-në për ndërrimin e barit në këtë stadium, marrëveshje të cilën e ka konfirmuar tashmë edhe Osmani në një prononcim për Kosova Press.
Sipas saj, komunikimi ndërmjet MKRS-së dhe FFK-së për këtë çështje ka qenë që nga muajt e verës, por kalendari i ngjeshur i ndeshjeve nuk lejonte hapësirë për ndërhyrje të tilla.